Shqiptaret ne ankthin e ardhmerise

 

Lazër Stani

Shqiptarët në ankthin e ardhmërisë

Shkrimtar

"Realiteti i historisë, shkruan Ernesto Sabato, e ka vazhdimin e tij në estetikë. Çdo epokë ka një vlerë dominuese – fe, ekonomi, metafizikë – që i jep ngjyrë e ton gjithë të tjerave". Nëntë vitet e postkomunizmit në Shqipëri, që përcaktohen si epokë e tranzicionit të shoqërisë shqiptare nga diktatura në demokraci, mund të kategorizohen vetëm si një realitet i kadifenjtë, pa mundur ta zbulosh dot vlerën dominuese të tij. Për fat të keq, pas traumës së madhe të diktaturës, shqiptarët nuk mundën ta përdorin pozitivisht lirinë e fituar, nuk mundën të bëjnë politikën e promovimit të njeriut (Edgar Moren) dhe as mundën të shpëtojnë nga iluzioni demokratik. Nëse Brodsky e pati cilësuar epokën e tranzicionit të vendeve lindore, si epokë te revolicioneve të kadifenjtë, realiteti shqiptar me gjithë dramacitetin, pështjellimin dhe hutimin e vet, flet për ngjyra shumë më të errëta , bart me vete ankthin e humbjes se përspektivës dhe një shkretim shpirtëror të llahtarshëm, pikërisht atë shkretim që latinët e patën quajtur "tedium vitae" e që çoi në rrënimin e njërës prej perandorive më të mëdha të botës, Perandorisë Romake.
Sot në media, konferenca, analiza të ndryshme, evidentohen me shumicë plagët gangrenizuese të shoqërisë shqiptare që e kompletojnë me të gjitha nuancat e në të gjithë brezat spektrin e errët të historisë njerëzore. Epoka e "revolucionit të kadifenjtë" ka qenë për shqiptarët një epokë rënieje në humbëtirë, aq sa me të drejtë një analist u huaj vërente: "Në këtë kohë është e pamundur të qëndrosh në vend, por të shkosh mbrapa, siç ka shkuar Shqipëria në këto tre vjet është e pakonceptueshme. Duhet të kesh një energji negative prej demoni ta arrish këtë".
E megjithatë, Shqipëria, përkundër të gjitha vizioneve dhe koncepteve të sotme, vazhdon të fundoset, vazhdon të shkojë mbrapa. Ky proces i frikshem ndodh përballë një indiferentizmi dhe hutimi të përgjithshëm, përballë një ankthi demoralizues, i krijuar prej dështimeve suksesive.
Vaclav Havel, në diskutimin e tij "Ankthi i postkomunizmit" shkruan se pas fundit të komunizmit kishte "shumë shpresë se historia do të fillonte të arsyetonte". Por, vëren Haveli , "ankthi i postkomunizmit krijon ekstremizma… kërkim për të gjetur kokën e turkut, dëshira për t’u fshehur brenda një grupi social apo etnik, inkurajon urrejtjen e botës, afirmimin e vetvetes me çfardo lloj kushti, ndjenjës se gjithçka është e lejuar dhe një rritje e paparë e egoizmit…"
Nëse kërkohet një terren për të matur vertetësinë e konstatimeve të Vaslav Havelit, Shqipëria është vendi model. Rënia e komunizmit në Shqipëri u shoqërua me të gjithë këta elementë të destruktivitetit social e moral, madje të shfaqur në maksimumin e vet. Vulgariteti e dominoi realitetin, shpirti njerëzor u penalizua, imperativet moralë që ruajnë konstitucionin shpirtëror të një shoqërie munguan krejtësisht. Shqipëria u shndërrua në një skenë teatrale, ku luhen aktet e pafund të tragjedise së një populli.
Në këtë rënie fatale ka disa faktorë që kanë ndikuar më së keqi. Dhe e para, është padyshim politika. Në një vend ku shteti mungon, pas rrenimit katastrofik të tij në marsin e vitit 1997, është momenti të kujtohet formula e Herderit "Natyra krijon kombet, politika shtetet". Nëse politika nuk po arrin të krijojë dot shtetin, që ta institucionalizojë jetën dhe ta orientojë atë drejt progresit, kjo do të thotë se politika shqiptare është e dështuar totalisht. Fundi i fundit çdo politikë matet me rezultatin përfundimtar që jep. Këtu nuk është e vështirë t’i përcaktosh promotorët e fajit, por kur e keqja është kaq e madhe, fajtorë bëhen të gjithë, që nga qytetari e deri te kreu i shtetit. Askush nuk mund të mburret se nuk ka faj, kur ardhmëria e një shoqërie përfundon me një labirinth të errët, të pashtegdalje, më i frikshëm se labirinthet e mbretërve persë. Qytetari shqiptar, duke mos e patur ndjenjen e shtetit të tij, shpreh gatishmëri të çuditshme në çdo aventurë antishtet, duke dëshmuar një urrejtje përversive për të. Kjo i ka arsyet e veta historike dhe aktuale, sigurisht. Shqiptarët asnjëherë nuk janë drejtuar nga shteti i tyre, përkundrazi janë sunduar nga shteti i tyre, ose nga shtetet e të tjerëve. Ai kurrë s’ka mundur të marrë mesazhin e domosdoshëm nga shteti se ai ekziston për të promovuar dinjitetin e qytetarit, mirëqenien dhe lumturinë e tij, kulturen e tij autentike, imperativet moralë, pra, të gjithë ata elementë që i japin kuptim jetës njerëzore dhe në fund të fundit plotësojnë atë që mund të cilësohet si "shenjtëri e jetës".
Përkundrazi, shteti sundimtar ia ka dhunuar atij vazhdimisht liritë dhe të drejtat themelore të tij, e ka bombarduar atë ideologjikisht, e ka shkatërruar shpirtërisht, ka luajtur me aparatin e iluzioneve të tij, duke e ushqyer me zhgënjime të njëpasnjëshme. Kjo e ka zhvleftësuar nocionin e shtetit te qytetari, ka bërë që atij t’i bjerë interesi për shtetin e tij. Shembull për këtë është indiferenca për procesin zgjedhor dhe tallja me sovranitetin e tij, duke mos dëshmuar asnjë lloj përgjegjësie. Ndryshe në jetën publike shqiptare nuk do të mbijetonin elementë aventurierë që s’kanë as kulturën, as edukatën dhe as inteligjencën për të diktuar në jetën publike të një populli. Këta elementë kanë prirjen fatale të shndërrohen në sundimtarë dhe jo në lidër që promovojnë politikën e njeriut, krijojnë perspektivën dhe çlirojnë vizionin e ardhmërisë nga ankthi mbytës. Është veshtirë të gjesh popull tjetër që e vuan ankthin e ardhmërisë si shqiptarët. Kjo është arsyeja, që shqiptarët i ngjajnë një kortezhi që çdo ditë udhëton drejt varrezave për të kërkuar aty lavdinë, historinë, kulturën, dinjitetin, perspektivën. Frika e ardhmërisë e detyron një kolektivitet të jetojë midis kujtimeve, e nxit atë të merret ditë e natë më zhvarrosjen e të shkuarës, duke lënë përfund saj peng të ardhmen.
Këto nëntë vjetë të jetës në posdiktaturë kanë qenë verbërisht peng i orëve të zeza të së shkuarës. Edhe lufta politike e këtyre nëntë viteve ka qenë një konflikt për të rizhvarrosur, ose për të groposur sa më thellë këtë të shkuar, që, për fatin tonë të keq, nuk ke as pse mburresh me të dhe as ke çfarë të mësosh prej saj. Por moskurajoja për t’u shkëputur prej saj është thjeshtë shprehje e frikës për t’u ballafaquar me sfidat e ardhmërisë dhe njëkohësisht pamundësia për të dalë nga guacka e koracëzuar e mentalitetit të vjetër politik.
Shpërthimi i jetës instinktive dhe i vulgaritetit shpirtëror është një tjetër tipar dallues i këtyre viteve. Qytetërimi i tronditur shqiptar u tregua i pafuqishëm për të përballuar këtë evazion barbarie që mbyti çdo frymë qytetarie, morali, kulture. Këtu u kërkua koka e turkut dhe u gjet si rendom te shqiptarët; kjo kokë turku u bë inteligjenca. Simbol i këtij evazioni barbar është dhunimi që iu bë varrit të Faik Konicës. Faik Konicës, intelektualit më të shquar shqiptar të këtij shekulli, iu thyen egersisht rrasat e varrit, me një urrjetje shtazore, që i tejkalon përfytyrimet për sjelljen e njeriut. Këtë instinkt të ulët sjelljeje e pati parandjerë Branko Merxhani, ideologu dhe formuluesi i neoshqiptarizmës, kur pati paralajmëruar se nëse shqiptarët do të vazhdojnë të sillen kështu me inteligjencën e vet, " atëherë unë do të zhdukem përgjithmonë nga ky vend dhe shqiptarët s’do t’ma dinë kurrë as varrin! ". Kjo profeci tragjike e Branko Merxhanit u realizua. Edhe sot e kësaj dite ata nuk ia dinë varrin njërës prej mendjeve më të ndritura të tyre. Këtij fati tragjik i janë nënshtruar elita e inteligjencës shqiptare në këtë shekull. Në rrugët e Shqipërisë ka vend për shumë ushtarë të panjohur, por nuk ka vend për momumentet e Faik Konicës, Gjergj Fishtës, Shtjefën Gjeçovit, Fan Nolit, Branko Merxhanit, Mithat Frashërit, Jeronim De Radës, Martin Camajt, Ernest Koliqit, vëllezërve Frashëri e shumë të tjerëve që i kanë dhënë identitet kulturës kombëtare shqiptare. Mirëpo shqiptarët, si edhe çekët e popuj të tjerë, janë krijuar si komb dhe bile janë shpëtuar si komb prej kulturës së tyre, pra , prej njerëzve me të cilët identifikohet kjo kulturë. Dhe, përkundër kësaj, inteligjenca vazhdon të trajtohet si kokë e turkut. Askush në Shqipëri nuk është sulmuar, fyer, lënduar, akuzuar e përsekutuar si njerëzit e kulturës, duke ua dhunuar gjithçka që ata kanë të shenjtë në jetë. Përballë kësaj egërsie, cmire, zilie dhe përjashtimi total ka ndodhur dhe po ndodh eksodi i trurit shqiptar, duke shkaktuar përtharjen e resurseve shpirtërore të kombit. Në realitetin e kadifenjtë shqiptar askush nuk do ta vërejë këtë eksod biblik, që vë në pikëpyetje ardhmërinë. Frazat demagogjike nëpër tribuna dhe trajtimi i intelektualëve, në rastin më të mirë si dekor i partive, nuk janë zgjidhje, po mavijosje e mëtejshme. Kjo tregon vetëm se inteligjencia shqiptare i përket një race qe po atrofizohet, zhduket. Në një klimë të tillë egersie, ku kultura dhe qytetrimi ndjehen të refuzuar nuk mund të ngjasë ndryshe. Dhe kjo kilmë nuk është vetëm shqiptare, është klimë ballkanike, që e bën "Gadishullin e Maleve", Ballkanin, një ishull të izoluar, ku intelektualët më të shquar, krijuesit me të talentuar janë tragjiket më të medhenj. Gadishulli që lindi autorin e tagjedive të medha Eskilin, ngjan sikur tagjeditë më ngjethëse ua rezervoi si fatalitet krijuesve e kultures së këtyre popujve. Romancieri më i shquar grek i këtij shekulli, autori i romanit të famshem "Jeta e Aleksis Zorba", Nikos Kazanxaqis, vdiq në mërgim, në Freiburg të Gjermanisë, i mallkaur nga kisha e vendit të tij. i mallkaur e i anatemuar në vendin e tij, qe edhe prozatori i famshem jugosllav Danillo Kish, që vdiq në Francë. i njejti fat u është rezervuar edhe shumë shkrimtarëve të tjerë ballkanas, që patën kurajon të ngrihen mbi realitetet ballkanike, duke shprehur pikëpamjet e tyre, pavarësisht nga shtetet, ideologjite sunduese, mentalitetet dhe konstruktet e ngurtësuara shpirtërore të popujve përkatës. Koraca ballkanike është kaq e frikshme, sa duhet një kurajo civile jo e zakonshme ta sfidosh atë. Kjo është arsyeja thelbësore, që edhe auoritete të shquar të kulturës e kanë shumë të veshtirë të marrin qendrime të pavarur, t’i kundërvihen marrëzisë dhe brutalitetit ballkanik.
Ky është realiteti tronditës prej të cilit kërkohet një rrugëdalje. Duke analizuar një realitet të përfarët, sigurisht shumë më përspektiv se ky i yni, Vaclav Havel rekomanon: "Njeriu duhet të arrijë një mirëkuptim të ri të vetvetës, të limiteve të tij, e të pozicionit të tij në botë". Një predikim moral që i shkon një idealisti dhe një karakteri me forcë morale, si shkrimtari i shquar çek. Por zgjidhja është shumë më e komplikuar dhe dalja prej ankthit të post-komunizmit është shumë më e vështirë. Aq më tepër që te popujt e Ballkanit, ankthit të postkomunizmit i shtohet edhe ankthi i historisë, ankthi i lirisë së munguar gjatë shumë e shumë shekujve, ankthi dhe konfliktet që shkaktojnë komplekset historike, racizmat dhe nacinalizmat.
Për daljen nga kjo situatë perëndimi ka rekomonduar si aspirinë demokracinë, e cila, për fat të keq në Lindje dhe veçanarisht në Shqipëri degradoi në iluzion demokratik, siç e formulon një realitet të tillë Rejmon Aroni. Duke trajtuar çeshtjen demokratike Edgar Moreni shkruan se "secila shoqëri e evoluar është një shoqëri e diferencuar dhe e strukturuar, e cila implikon pra një qëndër nervore të vendimeve, një hierarki". Nëse e shikojmë nga ky kontekst shkallën e evoluimit të shoqërisë shqiptare , atëherë kjo shoqëri të del një puqje qelizash të padiferencuara, kaotike, me një shpërthim të llahtarshëm të vulgaritetit të shpirtit njerëzor. Pushteti dhe politika janë shndërruar në një zonë okulte, ku ka vetëm kristalizim të kastave dhe klaneve mafiozë, që orientohen nga vulgariteti dhe logjika e rrugës duke e suprimuar politikën demokratike. Sepse, një politikë demokratike synon të themelojë një kompleks elementesh që formojnë sistemin dhe mbi të gjitha promovojnë politikën e njeriut. Megjithatë J. Brodsky është shumë më radikal. Sipas tij kriza e postkomunizmit i dedikohet "vulgaritetit të shpirtit të njeriut". Dhe në një reduktim të demokracisë në barazinë e njeriut para drejtësisë, që do të thotë një prateri me shumë policë. Brodski, për të dalë nga realiteti i kadifenjtë jep formulën e vet: "Unë propozoj barazinë para kulturës" shprehet ai. Po Shqipëria si mund ta gjejë vetveten dhe si mund të mbrojë demokracinë e saj, nëse kultura dhe njerëzit e saj vihen përballë përsekucionit të barbarëve, prapa të cilëve qëndron kasta tradicionale püolitike shqiptare, që jo vetëm nuk prodhoi kurrë demokraci, në kuptimin autentik që kjo fjalë ka për Perendimin, por as shtet real?! Nëse qendrën nervore vendimmarrëse e dominon logjika e rrugës dhe okultizmi, kështu s’do të mund të shkëputet kurrë nga spiralja vicioze që na terheq drejt fundit të vet. Nëse shoqëria shqiptare nuk shëndosh politikën, nuk shëndosh vetëveten dhe nuk implementon në jetën e saj imperativët moralë, nuk do të mundet dot as të qendrojë në vend, por do të tërhiqet mbrapa.
Që të frenohet kjo renie, kjo rreshqitje mbrapa, kjo ikje prej modernitetit, komunitetet e popujve të ballkanit duhet të rikthehen në etninë e kulturës.
Në këtë shretim ideshë zgjidhjet janë pothuajse të pamundura. Kjo tregon se jemi ende ne A-në e demokracisë dhe të kulturës. Një politikë që kërkon vetëm të fundosë e të varrosë kundërshtarë, të cilët rendom në Ballkan konsiderohen armiq, është okulte. Ajo dominohet nga logjika e sundimit dhe prodhon sundimtarë, por jo lidër politikë realë dhe as demokraci. Nëse do të kërkohej rruga e shpetimit, Ballkanasve në tërësi dhe secilit popull veç e veç, duhet rikthyer teformulat e kulturës dhe të demokracisë, tek afrimimi i shoqërisë civile dhe të qytetrimit perendimor në tërësi. Përpjekjet e deritanishme për këtë janë të vakta e, në mos qofshin të tilla, të paktën kanë rezultuar të pasukseshme. Në një vend ku nuk ka dialog të hapur social e politik midis palëve, në një vend ku fjala e shkruar përdoret vetëm për të penalizuar individë, grupe e grupime, në një vend ku toleranca dhe mirekuptimi janë minimalë, përspektiva mbetet gjithnjë e mjegullt.
Mark Aureli, njeriu që njohu luftën, por jo urrejtjen, u ka trashëguar brezave njerëzorë një mendim të paharrueshem: "Që kur zbardh agu duhet t’i them vetës: do të takohem me një vulëhumbur, me një mosmirënjohës, me një të pabesë, me një agresor… e njoh mirë natyren e tij: i përket racës sime, jo për nga gjaku e as për nga familja, por ngase të dy kemi gjykimin dhe jemi pjesëza të hyjnisë. Kemi lindur të bashkëpunojmë si këmbët dhe duart, si sytë dhe qepallat, si radha e siperme e dhëmbëve me atë të poshtmen". A do të munden ballkanasit ta lexojnë dhe kuptojnë këtë? Është e qartë se
vetëm në bashkëpunimin, vetëm në dialogun dhe mirëkuptimin mund të dilet nga realiteti i kadifenjtë, mund të shpëtohet nga demonstrimi i vulgaritetit dhe kthimi në etninë e kulturës. Dialogun Oktavio Paz e ka quajtur "veçse një formë, ndoshta ajo me e larta e simpatisë kozmike". Ne duhet ta fitojmë këtë simpati dhe të mundësojmë barazinë para kulturës. Ndryshe jemi vërtetë peng i ankthit të ardhmërisë tonë, që edhe pa këtë barrë të rëndë është gjithsesi e ankthshme.