Intelektuali ne mes medyshjes dhe veprimit

 

Naime Beqiraj

INTELEKTUALI NË MES MËDYSHJES DHE VEPRIMIT

Kujtim L., rrugën prej kafenesë deri tek tendat prej najloni e bën përgjatë
shtëpive të djegura. Gërmadhat e tyre me sy të çapëlyer shprehen më shumë se
sa fjalët. Është pjesë e një historie që ngjau gjashtë muaj më parë.
Kafeneja kur delte me ish nxënësit dhe miqtë është një gërmadhë si shumica e
shtëpive të qytetit të tij. Më e rënda është se profesorit I janë vrarë
nxënësit, kolegët. Edhe më e keqe se kjo kur disave nuk u dihen varret. Ajo
ishte katastrofa që e tronditi botën. Më shumë se fatkeqësi ajo ishte një
erë apo ëndërr të cilën shqiptarët e kaluan për tre muaj. Ishte erë e
padefinuar. Më zi se uragan.
Era e objekteve të shkrumuara ka zënë të hiqet ngadalë, por era e
mbeturinave po bëhet e padurueshme. Edhe sot, rutina e njejtë: ankesa e
gruas që ka pritur në radhë për ndihma humanitare sepse edhe kjo familje si
shumica e familjeve në këtë qytet jetojnë vetëm nga kjo lloj ndihme,
premtimet e Organizatave Joqeveritare se për dimër do tu sjellin baraka pak
më të forta dhe fëmijët e lagjes që përpiqen të kuptohen me ushtarë të huaj.
Këtu jetojnë njerëz punëtorë, mbi të nesërmen ku diçka-diçka të duket
ndryshe. Të njejta mbetën vetëm oxhaqet e shtëpive, të cilat edhepse të
djegura kulmojnë drejt qiellit sikur e mbajnë atë të mos rrëzohet. Një
legjendë shqiptare thotë: "Nga vajet e nënave mund të bjerë dhe qielli".
Prandaj, mërmërit me vete Kujtimi, nuk kam kurajo ta përmend shtëpinë dhe
bibliotekën e madhe personale që ma kishin djegur serbët, përballë dhimbjes
së nënave që kishin humbur djemtë.
Në mënyrën shqiptare ndjen dhembje dhe mburrje për ish nxënësin e tij Besnik
Lajqin, I cili me shokë u vra në Rugovë të Pejës me 19 prill 1999, duke
luftuar për lirinë e Kosovës. Besniku, djali me lëvizje të ngadalta dhe të
vëmendshme, para dhjetë vjetëve kur ishte maturant dhe flitej për lirinë e
Kosovës, bëhej zjarr. Sytë e tij të mendueshëm sakaq ndriteshin të gatshëm
për nisje. Flisnin me shprehjen: Kur?
Profesori jo i gatshëm për të dhënë sqarime, më shumë I zënë ngusht me
qëndrimin e nxënësit, përpiqej ta qetësonte gjakun e Besnikut. Mendonte se
si intelektual duhet të ishte më I matur. Intelektuali nuk është shpirt
luftarak. Ai nuk ka potencë revolucionare. Argumentin e ndërton prej shumë
argumentash dhe dilemash. Hezitimi është themel I veprimit të tij. Ai nuk
mund të vepronte pa qenë I shumë I bindur se veprimi I tij është I bazuar
dhe I drejtë. Sidomos me të rinjtë. Por kishin kaluar më shumë se dhjetë
vjet kur serbët pakicë ua kishin marrë shqiptarëve edhe atë pak autonomi që
e kishin pasur. Protestat e demonstartat I kishin marrë rrugët e Kosovës me
shpresë se do ta ndihmonin atdheun. Ngjarjet rrodhën gjithnjë në dëm të
shqiptarëve etnik. Pas disa muajsh të këtyre ngjarjeve, ra muri I Berlinit.
Ra komunizmi. Duke parë rënjen e aleates së saj Bashkimit Sovjetik, Serbia I
shprehte qëllimet e veta okupuese të cilat të pregatitura si elaborat I
kishte të gatshme prej më shumë se një shekulli. Fillon lufta në Kroaci e
Bosnje. Fillojnë burgosjet e të rinjëve, kurse ata që shërbenin në ushtrinë
jugosllave ktheheshin nëpër arkivole. Një numër jo I vogël I të rinjëve
detyrohen të shpërngulen në shtetet perëndimore. Kështu vepruan edhe ish
nxënësit e tij. Mbetën vetëm Besniku dhe disa si ai. Profesori dhe ish
nxënësit e ndjenin mungesën e miqëve që tashmë jetonin nëpër kampet e
refugjatëve. Djemtë më të mirë na I mori Europa, kujtoheshin shpesh. Ata I
ikën vdekjes së paparajmëluar, por nëse ua jep një copë bukë, një shtrat dhe
gjuhën e atij vendi, athua është jetë njerëzore kjo. Kështu do t’I shkruajë
më vonë profesori, mikut të tij Alfred L. në Perëndim. Disa nga letrat e
mikut nuk I kishte marrë, sepse edhe postën e kontrollonte policia serbe,
prandaj si zgjedhje të mundshme letrat I adresoheshin në një tjetër qytet të
Kosovës. Telefonatat, letrat dhe librat e Alfred L. ishin e vetmja dritare e
profesorit me botën. Dhe e disa miqëve të tij.
Në të parën letër që ia dërgoi Alfredit, nuk I foli për qytetin e tij, më të
rrënuarin në luftën e fundit në Kosovë. As për shtëpitë e bëra gërmadhë. Nuk
I foli as për bibliotekën e tij prej dhjetëmijë librash të bëra hi. As për
bombardimin e postës dhe mungesën e ujit dhe të rrymës. Letrën e nisi me
fjalët e Faustit: "E meriton dhe jetën, dhe lirinë". Nxënësi I tij, idhulli
I tij Besniku ishte vrarë. Si burrat. Mikut I nisi letër të shkurtër. Të
pikëlluar. Por pa drojtjen se mund ta lexonte një I tretë.
Janë muajt e parë të çlirimit nga dhuna serbe. Njerëzit, po e ndjejnë lirinë
pas gjithë atyre vrasjeve. Kthimi I shqiptarëve në vatrat e veta në Kosovë I
kaloi parashikimet e komunitetit ndërkombëtar. Në Rrafshin e Dukagjinit
(Kosovë) ku jetojnë se 800.000 shqiptarë, vetëm për gjashtë javë janë kthyer
90% e të shpërngulurve e jo për gjashtë muaj siç ishte paraparë nga
Komesariati I Lartë për Refugjatë. Ekspertët thonë se në këtë anë të Kosovës
80% e fshatërave janë bërë gërmadhë. Por ende pa iu tharë plagët Besnikut me
shokë si pjestarë të UÇK, djemëve idealistë për liri, në emër të meritës për
luftën ka zënë të krijohet anarkia e cila në vete përmban para së gjitash
mllefin e ngarkuar me vite nga sundimi serb totalitar dhe antishqiptar.
Profesori nuk gjen forcë ta lufton këtë dukuri e cila as me kanun as me
traditë nuk është veti e shqiptarëve. Vetëm në një rast kur e ngriti zërin,
njëri gati me përçmin iu drejtua: "Ti që s’e ke rrokur pushkën, të paktën
hesht". Profesorin, të cilin nuk e kishte lëshuar ende makthi I luftës dhe I
zhvendosjes, hesht. Kishte heshtur edhe dikur dhe pikërisht për këtë kishte
marrë kritika nga Besniku dhe shokët e tij. E dinte edhe këtë se
intelektualët kanë dështuar si qenje sepse ata e kanë për detyrë jo për ta
krijuar psikologjinë kolektive, por për ta thënë të vërtetën pavarësisht nga
çmimi që do ta paguajnë. Intelektualët në Kosovë dhe gjithandej në Ballkan
kanë qenë misionarë të iluzionit apo gënjeshtrës. Kjo mbase problematikën e
ka nga mungesa e besimit, sepse këtu nuk ka banuar zoti. Fitore kundër zotit
është krejt ajo që është e kundërt me moralin njerëzor ku janë lejuar të
gjitha format e mëkatit të cilat Dante I spjegon si nëntë kategoritë e
krimit. Ndalimi I besimit është sanksionuar edhe me kushtetutë, siç ka
ndodhur në Shqipëri. Kriza e besimit ndjehet edhe sot kur ekziston liria e
adhurimit të zotit. Në kohën kur nxënësit e tij po pregatiteshin për ta
çliruar Kosovën, ai ishte mes mëdyshjes. Profesori, idoli I atyre nxënësve
idealistë e dinte se në historinë e njerëzimit, intelektualët kurrë nuk I
kanë hyrë luftës. Intelektualët janë njerëz të një sensibiliteti tjetër. Ata
duhet ta bëjë punën e vet qoftë në paqë qoftë në luftë. Në rrethana të
luftës, ai s’mund tu spjegojë nxënësve për estetikën e Hegelit, por
gjithsesi duhet të ishte në dispozicion të luftës.
Ka të tjerë që s’kanë bërë asgjë dhe të tillët kanë problem me ndërgjegjjen
e tyre. Dhe të tillët me fjalë dhe uniforma ushtarake që I kanë blerë në
rrugë, etiketojnë parreshtur. Pse ekziston kjo nguti për etiketim të njërës
palë apo palës tjetër. Në anën tjetër, pse ekziston ky vrap pas pozicioneve
në emër të meritave për luftën. Profesori I letërsisë që dikur, para se të
burgosej nga Serbia kishte pasë shkruar edhe poezi, mendon se diçka të vogël
për atdheun, megjithatë ka bërë. Ai, pa pagesë, për disa vite, nxënësve ua
mësoi Gëten e Fishtën. Shumë nxënës I përkrahu për talentin e tyre, duke
qenë vazhdimisht nën presionin serb të likuidimeve dhe atentateve. Duke e
eliminuar ajkën e shqiptarëve, ajo (Serbia), ka tentuar ta kthejë prapa për
200-300 vjet trurin shqiptar. Përderisa shtresa e tij nuk iu nënshtrua
represionit të egër të armikut kombëtar, si mund t’I nënshtrohet një dore
anarkie. Intelektualët, I shkruante ai në një letër Alfred L., nuk mund të
nështrohen. Ata mund të kishin dilema, mund të mos flasin, por nuk mund të
pajtohen që dikush që është më pak I ditur se ata, t’I dirigjojë. Lufta që e
bënë ata djem idealistë ishte e drejtë. Duke qenë nacionalistë ata janë
kyçur në luftë duke bërë punën që u ka takuar, por nuk kanë qenë
organizatorë të saj. Ata kanë bërë luftë reale sepse realisht e kanë kuptuar
ndjenjën për liri.
Nacionalisti nuk rrehet, sado që rrena është realitet I psikologjisë
ballkanase. Derisa serbët e kanë krijuar rrenën për nevoja politike, ata nga
kjo kanë krijuar shtet dhe pushtet si sistem dhe instituicion. Të fabrikuar
si realitet dhe të bazuar në gënjeshtra, serbët, rrenën e kanë plasuar edhe
në botë duke krijuar kështu edhe biblioteka të tëra me të vërteta që janë të
krijuara mbi gënjeshtrën. Tek shqiptarët, gënjeshtra është krijuar si
instituicion për nevoja të brendshme I cili ka shërbyer për të krijuar
realitete fiktive me të cilat njerëzit janë shërbyer dhe ushqyer. Me këtë
ata I kanë rezistuar dhunës dhe jetës në disa dimensione duke krijuar
realitete të cilat jetën e kanë bërë të mundshme. Tek shqiptarët, e vërteta
është prezentuar përmes të folurit të figurshëm, përmes së cilës si qelizë e
ka plasuar mesazhin. Ka ekzistuar një metagjuhë, metatekst e jo tekst. Të
gjithë që e njohin traditën e shqiptarëve e njohin këtë fenomen. E vërteta
nuk thuhet. Ajo kuptohet. Gënjeshtra flitet, thuhet. Mirëpo, mesazhi nuk
është eksplikuar, nuk është shpallur tekstualisht. Është dashur mençuri
shumë e madhe që të thuhet e vërteta.
Në të gjitha vendet e Ballkanit, rrena ka qenë shumëdimensionale. Ajo është
çmuar si shkathtësi e jo ves apo mëkat. Realisht secili e ka kuptuar rrenën
si shkathtësi të ekzistencës. Në të gjitha situatat ajo është krijuar si kod
I vetëmashtrimit duke krijuar realitete të cilat edhe sot kush guxon t’I
shpallë si të tilla, ai rrezikon jo si në kohën e komunizmit kur është
gjykuar e drejta e fjalës, por gjykohet si njeri I cili e prish një fiksion
duke u shëndërruar deri edhe në heretik.
Rrena në Ballkan arrin deri në iluzionin e mitit apo vetëdijes mitike. Është
vetëdije e re mitike sepse mitet megjithatë janë vlera shumë të larta dhe
sublime të cilat janë në funksion të së vërtetës që nuk I kap dot truri as
intelekti. Mirëpo këto janë antimite dhe quhen rrena. Fatkeqësisht Ballkani
vlon nga njerëzit destruktiv dhe ndoshta është I vetmi vend ku kriminelët
paraqiten si heronj kombëtar. Nëse mashtruesit ordinerë në botën e
civilizuar do të kishin ndejtur në burgje, në Ballkan shëndërrohen në
heronj, dhe njerëzit arrijnë t’I shohin si të tillë. Problemi është se nuk
dihet se a ekziston një injorancë apo frikë për faktin se ata njerëz, nëse
nuk e marrin atë që e kërkojnë, dëmi prej tyre do të jetë shumë më I madh
sepse nuk ka institucion që atë shtresë njerëzish do ta kufizonte apo do ta
mbante në vendin që do ta kishin në botën e civilizuar. Fatkeqësisht në
Ballkan nuk ka instucion të tillë që do ta luftonte gënjeshtrën dhe
kriminelët në krejt këtë konglomerat mëkatarësh do t’I vendoste në vëndin e
vet, sepse kur e kualifikon si të keq një njeri, duhet ta kesh edhe
mekanizmin se si ta luftosh atë njeri. Në Ballkan, pra tolerohet e keqja
sepse nuk ka mekanizëm që të luftohet ajo. Po e përseris, se po të kishte
pasur liri besimi, do të ishin krijuar institucionet morale që do ta denonin
amoralitetin dhe të keqen. Duke mos pasur një mekanizëm të tillë, e mira dhe
e keqja kanë jetuar si pakt. Ato e kanë eskivuar njëra tjetrën duke mos e
luftuar asnjëherë në kuptimin e saj të plotë. Ballkani ndoshta ka qenë I
vetmi vend në botë ku e mira dhe e keqja kanë bashkëjetuar në paqë.
Megjithatë, e keqja ka qenë favorite dhe ka sunduar në Ballkan. Ka qenë e
fuqishme. E drejta, mirësia, morali, kanë qenë gjithmonë më të dobta, më të
shkrifta. Formë e ekzistencës këtu ka qenë frika. Gënjeshtra si iluzion këtu
është shfrytëzuar edhe për qëllimin e mirë. Atë e ka përdorur I miri dhe I
keqi. I miri e ka përdorur për tu mbrojtur prej së keqes duke krijuar kështu
edhe një iluzion prej të cilit është përpjekur për ta gjetur një zonë
jetësore ku ka mundur të jetojë. Kështu kanë jetuar edhe shqiptarët. Të
mirët, e kanë përdorur gënjeshtrën për të mbijetuar. Prandaj me të drejtë
vlerësonte një poet shqiptar (Ramadan Musliu) se historitë e popujve të
Ballkanit duhet të shkruhen edhe njëherë sepse I kanë shkruar ata që kanë
pasur monopol mbi shkencën. E vetmja gjë që të lë në dorë historia është se
ajo të sjell një entuziazëm, kishte thënë një shkrimtar gjerman. Dhe kishte
shtuar se patriotizmi e zvetënon historinë. Kështu, nën flamurin e së
djathtës janë sulmuar antifashistët, nën flamurin e së majtës dhe
meritokracisë dhe janë ndjekur e persekutuar dhe ekzekutuar atdhetarët e
njëmendët. Një piktor shqiptar (Edi Rama) që njëkohësisht është edhe
Ministër I Kulturës së Shqipërisë, duke ua vënë thonjëzat fjalëvë aq të
përfolura në Ballkan "të majtë" dhe "të djathtë" thekson tek të dyja, përveç
të tjerash e gjen edhe mishërimin e njërit prej tipareve më karaktersitike
të mënyrës totalitare të të menduarit kritik që konsiston në goditjen e
paragjykimeve të personit e jo në oponencën ndaj argumentit të tij.
Në një letër tjetër drejtuar Alfred L. profesori I letërsisë I shkruan se
duke lexuar udhëpërshkrimet e autorëve të huaj e deri tashti, në botën
perëndimore është shfaqur përshtypja se shqiptarët janë popull ekzotik. Tek
tashti ata po e njohin Kosovën me një petk të ri. Anglezët po e njohin një
Kosovë tjetër, amerikanët, gjermanët… tjetër Kosovë nga ajo që e kanë lexuar
në literaturë të cilën për më shumë se njëqind vjet e kanë krijuar sllavët
duke shkruar për shqiptarët si popull ekzotik të cilët jetojnë me një bagazh
mitomanie, duke I paraqitur më primitiv se të tjerët. Këtë e kanë elaboruar
sidomos për ta ushtruar të drejtën e sundimit në emër të një civilizimi në
kohën kur ekzistonte e drejta koloniale që popujt primitiv duhet të sundohen
nga një popull më I civilizuar. Kjo, pra është bërë për ta arsyetuar të
drejtën e sundimit në Kosovë. Por ekzotizëm tek shqiptarët nuk ka pasur.
Shqiptarët janë populll pragmatik, me kanun kushtetues të cilin e kanë pasur
popujt e civilizuar që kanë pasur shtet. Mirëpo kjo nuk është studiuar nga
intelektualët shkencëtar që I ka prodhuar koha e komunizmit. Vet
intelektualët e majtë e kanë krijuar përshtypjen se shqiptarët janë popull
ekzotik, dhe në vend se të dëshmohet e kundërta, ata kanë vrapuar që ta
integrohen dhe shartohen në kulturat ruse e sllave ndaj të cilëve janë
ndjerë inferiorë.
Shqiptarët, kanë qenë pragmatik. Atë rol e kanë luajtur për ekzistencë.
Dikujt I ka konvenuar që shqiptarët t’I paraqesin edhe si folklorik, duke
stimulaur turnetë folklorike të lojës së "Shotës" (valle shqiptare) me
shpata. Ky lloj folklori është stimuluar me qëllim duke bërë turne muzikore
nëpër botë. Pse, në turne nuk ka shkuar teatri apo muzika klasike.
Sigurisht, dikujt me qëllim I ka kovenuar t’I paraqet shqiptarët si në
përrallë, që duhet t’I besojnë njerëzit: ja e paskemi edhe ne Afrikën tonë
brenda Europës. Beogradi e ka stimuluar vazhdimisht këtë lloj kulture në
Kosovë duke I paraqitur shqiptarët sikur ende nuk e kanë kaluar dimensionin
arkaik dhe kanë mbetur diku në muze e prej aty kanë mbetur gjallë. Ky është
fenomen I mirë sepse popujt e civilizuar I ruajnë muzetë, sidomos kur janë
të gjalla. Fatkeqësisht, ne si shqiptarë e kemi luajtur disa herë atë rol
sepse na është kërkuar ta luajmë. Nuk kemi rezistuar sepse nuk kemi pasur
fuqi intelektuale për të rezistuar. Edhe sot po të rezistosh do të shpallesh
si armik I vlerave kombëtare sepse I sjell dëm kombit dhe vlerave
folklorike. Dominimi I vlerave folklorike plot mitomani dhe çifteli ka kohë
që është evident edhe në të vetmin TV kombëtar, ndërkaq që shfaqjet teatrore
jo vetëm që nuk jepen, por as nuk lajmërohen.
"Mos është kjo ikje nga e vërteta", e kishte pyetur Alfred L. në një nga
letërkëmbimet e tyre. Ikja nga e vërteta ëshë një formë e ikjes nga liria. E
vërteta, gjithnjë e më shumë ka pak ithtarë. Tek shqiptarët përsëri kjo
është paraqitur si pragmatizëm jetësor. Kjo është rezultat I popujve të
robëruar, I jetës së gjatë dhe përvojës me të. Më e keqja është se po
ripërseritet historia dhe reputacioni famëkeq shqiptar, se te ne çdo gjë
kalon si ngjarjer, por nuk mbetet si përvojë. Po e përseris se europianët e
lirë tek tashti do ta kuptojnë këtë pozicion të shqiptarëve. Ajo çfarë ka
ndodhur me shqiptarët, sidomos këta muajt e fundit ishte skenari më
katastrofal. Për shkak të Kosovës, e citonte dramaturgun dhe publicistin
shqiptar Artur Zhejin, në Europë ka ndodhur një revolucion I vërtetë
nocionesh, e gjithë kjo brenda një kohe të shkurtër. Kosova me më se 15.000
të vrarë, disa qindëra të zhdukur dhe mijëra të burgosur, tash tre muaj, me
pak përjashtime është liruar nga dhuna serbe. Serbia më nuk do të sundojë në
Kosovë. Sot ka edhe ndonjë intelektual të rrallë serb që shprehen si
psikologu Milenko Karan: "Këtë fitore të vet populli shqiptar e ka merituar.
Ai ishte më kompakt, më trim dhe më I mençur. Më I urtë". Psikologu plak
gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s ishte në Prishtinë që me shumë se
shtatë vjet ishte shprehur se për shkak të politikës agresive që beogradi
udhëhiqte në Kosovë, llogarinë e saj do ta paguajnë vet serbët e këtushëm që
më së paku janë përgjegjës për vuajtjet ndaj popullit shqiptar për këto
vite. Ai ishte nga të rrallët që shprehej kështu sepse ky qëndrim I tij
ishte punë e pakëndshme dhe e rrezikshme. Mirëpo, ai përseri nuk kishte të
drejtë sepse një pjesë të konsiderueshme të krimeve, djegieve dhe
shkatërrimeve e kanë bërë serbët vendas. Sigurisht me bekimin e Beogradit.
Prandaj tashti është punë e psikologëve dhe defektologëve botëror të
eksperimentojnë trurin destruktiv të kësaj politike.
Ikja nga katastrofa I ka larguar përnjëherësh një milion njerëz. Si në
dimensionin biblik vjen shpërblimi nga dora e zotit si mëshirë duke krijuar
kthimin masiv. Një ringjallje. Janë kthyer pavarësisht se nuk kanë pasur ku
të kthehen. Kosova është bërë shëmbull I një toke mitike. Edhe njerëzit që
nuk janë nga Kosova vijnë me e pa Kosovën. Në Kosovë ka nisur instalimi I
ardhmërisë. Dhe krejt kjo është për fëmijët e Kosovës që nuk kanë qenë
fajtorë për këtë katrahurë.