Enderrat dhe gropa

 

Kim MEHMETI

ËNDËRRAT DHE GROPA

Shkruan: Kim MEHMETI, shkrimtar – Shkup

Përderisa zhvillohej tmerri i quajtur Kosovë, aspak nuk më shkohej në zyren time. Jo vetëm për shkak të pikëllimit kolosal që ndjeja, jo edhe për shkak të ballafaqimit me pamundësinë të ndërmarrësh diçka që të ndihmosh, apo sado pak të zvogëlosh tragjedinë që perjetonte populli im shqiptar, por sepse m’u bënë të padurueshëm të gjithë ato gazetarë që vinin t’u jap deklarata, që pyesnin e pyesnin çdo gjë, thuajse unë dija diçka më shumë se ata lidhur me rrjedhën e ardhshme të asaj tragjedie. Por, njeriu shpeshherë nuk mund të ikë, nuk mund t’u shpëtojë disa rrethanave të cilat i ngjiten në jetë si fat: unë, gazetaria dhe gazetarët ishim trinom i kahmotshëm i cili nuk çonte drejt ndonjë rezultante gjithaq frytdhënëse, mirëpo mund të funksiononte si problem i zgjidhshëm dhe sadopak i dobishëm, i bazuar në interesin tripalësh.
Ditëve kur në vetëdije më ushtonte vaji i fëmijëve kosovarë të mbetur në Bllacë (në vendkalimin kufitar Kosovë – Maqedoni) në zyre më erdhi një gazetare – mikeshë imja, nga Franca dhe kur më pa ashtu të thyer ( ndoshta edhe duke humbur shpresë se do të mund të dëgjonte nga unë diçka të padëgjura më parë nga të tjerët), tërë bisedën e nxorri në teren të artit – në krijimtari. Dhe pasi e dinte se shkruaj paralelisht në dy gjuhë (në atë amtaren – shqipen dhe në gjuhën maqedonase), me siguri duke dashur të nxjerrë prova se cilën e kam gjuhë të parë, më pyeti se në cilën gjuhë ëndërroj. I shkëputur për një çast nga ngulfatja e pikëllimit dhe i gjetur në botën e Makondos sime krijuese, iu përgjigja se ëndërroj në shqip mirëpo, nëse më vjen në ëndërr ndonjë mikeshë imja maqedonase e shfrytëzoj rastin t’i vardisem maqedonisht sa të mos arsyetohet se nuk ka mundur t’i kuptojë kërkesat e mia. Kuptohet, për një çast qeshëm të dy dhe ajo qeshje kishte dimension kolosal, ishte e ardhur në kohën e lotëve – si lule në mes të shkretëtirës. Netëve të fundit, vazhdova unë, ëndërrat e mia zhvillohen në heshtje, mysafirët parakalojnë nëpër ëndërr pa thënë asnjë fjalë. Dhe përnjëherë m’u kujtua se net me radhë kisha ëndërruar njerëz të zhytur në baltën e heshtjes, miq të afërt dhe të largët që më vinin në ëndërr thuajse kishin humbur aftësinë e të folurit. Si dhe turma njerëzish të gjallë, të mbetur nëpër gropa, por të cilët as bërtisnin as kërkonin ndihmë. Në këto hapësira fjalët kanë humbur kuptimin, i thashë mikeshës sime, ne të gjithë ndjehemi si të zhytur në një gropë të thellë nga e cila, pas britmave të shumta, të gjithëve na ka kapluar heshtja.
Edhe tani, pasi me gjase luftrat e Ballkanit do të ken marrë fund, shpeshehrë më kujtohet ai takim i largët, krejt e rastitësishëm dhe në kohë joadekuate për biseda inspirative. Në të vërtetë, nuk e di athua takimi më ringjall ndjenjën se jam duke jetuar në një gropë të thellë nga e cila nuk ka dalje, apo ndjenja e tillë më ringjall në kujtesë takimin e dikurshëm. Më në fund, as që është me rëndësi gjithaq relacioni gropë – takim sa ai se njeriu në këto hapësira nuk mund të mos e ndjejë veten si i zhytur deri në fyt në baltën e pashpresës dhe i bindur se është i dënuar të jetoj pa ardhmëri. Veçanërisht njeriu i artit, ai që është bërë rojtar i Makondos së vet krijuese duke dashur në atë mënyrë të mbrojë njeriun në vetvete dhe hijen njerëzore te të tjerët. Duke dashur, në mos tjetër, t’i mbetet i pacenuar "eks territori i tij" – dhoma e ngushtë e punës!
Kuptohet, edhe para këtyre luftrave të përgjakura, Ballkani ishte periferi kulturore për pjesën tjetër të Evropës. Por, jo në kuptimin negativ të fjalës. Përkundrazi, periferi me të gjitha gjërat pozitive që sjell një pozit e tillë: duke mbajtur komunikimi e rregulltë dhe pa pengesa me "qendrat kulturore" dhe bile-bile duke u sjellë atyre gjak të freskët dhe kolorit pa të cilin shpesh qendrat kulturore as që mund të funksiononin. Ajo periferi e dikurshme kulturore, viteve të fundit u shndërrua në gropë nga e cila nuk mund të dilet, apo dilet vështirë. Kuptohet, atë gropë e rrëminë me duart e veta popujt e Ballkanit, me çka portretuan vetveten në një kohë kur ora kohën filloi ta mat mbrapshtë, që pastaj atë gropë, nga të gjitha anët ta rrethojne gjembat e "vizës së Shengenit" si mundësi e vetme të vizitosh mikun apo ndonjë ngjarje kulturore në shtetet perëndimore, në qendrat kulturore ku thuajse është bërë çështje mode që çdo shtëpi botuese me renome të ketë edicionin e posaçëm "egzotik" me vepra të krijuesve të Ballkanit, rëndom me rrëfimet e tyre "live" nga këto hapsira të përgjakura. Pra, nga ajo gropë nuk dilet lehtë edhe kur ke ftesë të konfirmuar që të shkosh ndokund si krijes "egzotik" dhe t’u rrëfesh të tjerëve çka ka ndodhur dhe pse ka ndodhur, të të shohin se si dukesh si i tillë – i dalur nga gropa.
Kohëve të fundit, kur gazetarët nuk vijnë më në zyren time aq shpesh si në kohën e tragjedisë së përgjakur të Kosovës, shpesh e gjej veten duke menduar pse vallë pjesa tjetët e Evropës i ik aq ballafaqimit me Ballkanin. Dhe duke e ditur se i shëmtuari kurrë nuk dëshiron të dalë përpara pasqyrës, fillova t’i besoj vetëm një shpjegimi logjik: pjesa tjetër e Evropës në të vërtet nuk dëshiron të dalë përpara pasqyrës së vet – Ballkanit. Duke harruar se edhe kur ne i ikim pasqyrës, ajo gjithmonë e sheh fytyrën tonë!
Dhe, që të mos i largohem temës dhe mos dalë se në këtë gropë të quajtur Ballkan njerëzit kanë filluar të humbin edhe lidhshmërinë e ngjarjeve, ta vazhdoj rrëfimin aty ku edhe e fillova: mikesha ime gazetare nga Franca më fton shpesh ta vizitoj duke më bindur se një udhëtim i tillë do të më ndihmonte të dal nga bota e "ëndrrave pa zë" dhe të fillojnë të ringjallen ato me vizitues të cilëve u është kthyer aftësia e të folurit. Duke e njohur shprirtëmirësinë dhe bukurinë e saj, as që dyshoj se disa ditë të kaluara me te do të ishin ilaç i mirë për shërimin e ëndrrave të mia. Posaçërisht kur bëhet fjalë për mikeshën të cilën dikur e kisha pije më të mirë që m’i dehte ëndërrat. Mirëpo, ftesën e saj gjithmonë e refuzoj, duke u arsyetuar sukseshëm me këtë apo atë obligim timin. Duke mos dashur t’ia them të vërtetën se më kap marramendja sa herë që dëgjoj të përmendet "viza e Shengenit" dhe posa bie vendimi t’i drejtohem për vizë udhëtimi ndonjë ambasade perëndimore ndjehem si alpinist i lodhur. Thjesht, më bëhet thuajse orvatem të dalë nga kjo gropë e thellë përplot me baltë ngjitëse, përderisa lart qëndrojnë duar që më shtyjnë të rrokullisem aty ku jam. Edhe pse nuk dua të dal lart që të mbetem gjithmonë atje, por sa t’i pyes se çka ëndërrojnë ata që i ngulfat qeshja e jo lotët e varrezave masive, që eksperimtojnë me gjinitë letrare e jo me ndjenjat e tendosura. Thjesht, mikeshës sime nuk di si t’i shpjegoj se këtë gropë unë nuk do ta kisha braktisur edhe sikur të më shpallnin prefekt të qytetit të saj. Jo pse gjithaq më pëlqen lloçi jonjerëzor i saj dhe pse nuk di të ndaj të mirën nga e keqja, por pse e di se unë mund ta jetoj vetëm kalendarin që më takon dhe mund të shijoj vetëm baltën nga e cila jam ngjizur. Thënë ndryshe, atyre që qëndrojnë mbi këtë gropë unë nuk ua kam zili, nuk i fajsoj për asgjë dhe as që më shkon ndër mend t’u hidhërohem: thjesht ata vetëm më dhimbsen për shkak se jetojnë të ngarkuar me peshën e frikës se mos vallë dikush do t’ua nxjerrë përpara pasqyrën ku do ta shohin një pjesë të fytyrës së Evropës së sotme të civilizuar – Ballkanin!